Kushtet e përdorimit
Përditësuar më 27 tetor 2026.
1. Palët
Këto kushte rregullojnë përdorimin e Dirigo midis CodeAPIness SHPK, NIPT M12305008A, me adresë Rruga "Sotir Çaçi", Njësia Bashkiake nr. 3, Tiranë ("ne"), dhe biznesit që e përdor ("Klienti"). Dirigo është vetëm për biznese. Duke krijuar një llogari ose duke paguar një faturë, Klienti i pranon këto kushte. Nëse Klienti ka me ne një marrëveshje të shkruar, ajo ka përparësi ndaj këtyre kushteve.
2. Shërbimi
Dirigo është një panel në internet dhe aplikacione për televizorë, me të cilat Klienti kontrollon çfarë shfaqet dhe luhet në ekranet e lokacioneve të veta. Ne i japim Klientit një licencë jo ekskluzive dhe të patransferueshme për ta përdorur Dirigo sa kohë abonimi është i paguar. Programi mbetet pronë jona; Klienti nuk merr kodin.
3. Llogaria
Klienti përgjigjet për përdoruesit që fton dhe për çdo veprim të bërë me llogaritë e tyre. Ai i mban fjalëkalimet sekret dhe na njofton menjëherë kur dyshon për përdorim të paautorizuar.
4. Përmbajtja e Klientit
Përmbajtja që Klienti vendos në Dirigo (imazhe, video, PDF, muzikë, njoftime, tekste, çmime) mbetet e Klientit. Klienti na lejon ta përpunojmë vetëm sa duhet për të ofruar shërbimin.
Klienti garanton që ka të gjitha të drejtat për këtë përmbajtje, përfshirë licencat për shfaqjen dhe luajtjen publike të muzikës në çdo lokacion. Dirigo nuk ofron, nuk kërkon dhe nuk shkarkon muzikë: nuk ka katalog muzike, as lidhje me YouTube, Spotify ose shkarkim nga një link. Muzika vjen vetëm nga Google Drive-i i Klientit ose nga një USB e tij.
Klienti na dëmshpërblen për çdo pretendim, gjobë ose shpenzim, përfshirë ato ligjore, që lind nga përmbajtja e tij ose nga mungesa e licencave për të.
5. Përdorimi i ndaluar
Klienti nuk e përdor Dirigo për përmbajtje të paligjshme, që shkel të drejtat e të tjerëve ose që fyen, nuk përpiqet të hyjë në të dhënat e klientëve të tjerë ose në sistemet tona, nuk e dekompilon programin dhe nuk e rishet Dirigo pa marrëveshje me shkrim.
6. Heqja e përmbajtjes
Kush mendon se përmbajtja në një ekran Dirigo shkel të drejtat e tij mund të na shkruajë te [email protected], duke treguar përmbajtjen, lokacionin dhe të drejtën që shkelet. Konfirmojmë marrjen brenda 2 ditëve pune, njoftojmë Klientin dhe, kur shkelja është e qartë, e çaktivizojmë përmbajtjen derisa çështja të zgjidhet.
7. Pagesa
Abonimi paguhet për çdo ekran në muaj, paraprakisht, me faturë tatimore dhe transfertë bankare. Çmimi dhe monedha (lekë ose euro) janë ato të ofertës ose të planit të Klientit. Kur një faturë nuk paguhet, Klienti ka 7 ditë kohë shtesë; pas tyre ekranet shfaqin njoftimin që abonimi ka skaduar, deri në pagesë. Të dhënat e Klientit nuk fshihen për shkak të vonesës.
8. Pajisjet dhe interneti
Dirigo punon në televizorët Samsung të Klientit ose me Xiaomi TV Stick. Nëse stick-un e shesim ose e japim ne, kjo rregullohet në ofertë. Ne nuk përgjigjemi për televizorët, rrymën, internetin ose altoparlantët e Klientit.
9. Disponueshmëria
Bëjmë çmos që Dirigo të jetë gjithmonë në punë, por nuk e garantojmë pa ndërprerje. Ekranet vazhdojnë të luajnë përmbajtjen e fundit edhe kur nuk kanë internet. Mirëmbajtjen e planifikuar e bëjmë kur është e mundur jashtë orarit të punës.
10. Përgjegjësia
Përgjegjësia jonë e plotë për çdo dëm nuk e kalon shumën që Klienti na ka paguar në 12 muajt para ngjarjes. Nuk përgjigjemi për fitim të humbur ose dëme të tërthorta. Këto kufizime nuk vlejnë për dëme të shkaktuara me dashje ose nga pakujdesi e rëndë.
11. Kohëzgjatja dhe ndërprerja
Abonimi vazhdon nga muaji në muaj. Secila palë mund ta ndërpresë me njoftim me shkrim; ndërprerja hyn në fuqi në fund të periudhës së paguar. Mund ta pezullojmë menjëherë llogarinë kur Klienti shkel rëndë pikat 4 ose 5. Pas mbylljes, të dhënat trajtohen sipas politikës së privatësisë.
12. Të dhënat personale
Përpunimin e të dhënave personale e rregullojnë politika e privatësisë dhe marrëveshja për përpunimin e të dhënave, që janë pjesë e këtyre kushteve.
13. Ndryshimet
Ndryshimet e këtyre kushteve ia njoftojmë Klientit me email të paktën 30 ditë para se të hyjnë në fuqi. Nëse Klienti nuk i pranon, mund ta ndërpresë abonimin para asaj date.
14. Ligji dhe gjykata
Këto kushte rregullohen nga ligji shqiptar. Mosmarrëveshjet që nuk zgjidhen me mirëkuptim i shqyrton Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
15. Kontakt
[email protected], ose me postë: CodeAPIness SHPK, Rruga "Sotir Çaçi", Njësia Bashkiake nr. 3, Tiranë, Shqipëri.